Kryeministri Berisha viziton panairin e Mollės, organizuar nė komunėn Mollaj nė Korēė  

Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit në qytetin e Korçës, vizitoi edhe panairin e Mollës, organizuar në komunën Mollaj të këtij rrethi. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.

Kryeministri u ndal në stendat e këtij panairi ku ekspozoheshin jo vetëm varietete të ndryshme të mollëve  të zonës, por edhe produkte e gatime të bëra nga ky frut karakteristik i zonës. Gjatë bisedave të zhvilluara me tregtarë të ndryshëm në këtë panair, Kryeministri Berisha u njoh me punën dhe investimet e tyre në këtë fushë prodhimi, si dhe me dhe çështje të ndryshme të cilat ata ngritën.

Kryeministri theksoi se qeveria ka investuar shumë në zonat rurale, sidomos në infrastrukturë rrugore, pasi  pa rrugë, prodhimet e këtyre zonave do të mbeteshin pa dalje në treg. Kryeministri siguroi se mandati i ardhshëm do të jetë mbështetje e fuqishme ndaj zonave rurale, duke investuar fuqishëm, në bujqësi, në sistemet e vaditjes, në agrobiznes, agroindustri, pro edhe në mbështetje të drejtpërdrejtë të fermerëve.      

Në përshëndetjen e tij për këtë panair, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ju falënderoj me shumë mirënjohje për panairin e mrekullueshëm të Mollës që ju keni organizuar sot. Ju përshëndes shumë përzemërsisht për arritjet tuaja me mund, djersë, përkushtim të madh. Ju keni ndërtuar këtu fermat ndër më të bukurat, ndër më prodhueset, fermat prodhimet e të cilave preferohen me përparësi në Shqipëri, në rajon e në mbarë botën.

Gjatë vizitës në këto stenda unë pashë varietetet e mrekullueshme të mollëve që ju kultivoni, pashë prodhimet që ju gatuani dhe servirni nga molla. Por, mbi të gjitha, unë pashë gra e burra të cilët ndiheshin krenar me prodhimet e tyre, ndiheshin optimist me prodhimet e tyre, ndiheshin të vendosur për të zgjeruar më tej fermat e tyre.

Në këto bashkëbisedime të shkurtra me ta, unë dëgjova edhe me shqetësimet e tyre, shqetësime që kanë të bëjnë me vaditjen, me çmimet e larta të kimikateve më të mira që duhen për spërkatje, shqetësime që kanë të bëjnë me investime të reja në agrobiznes. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush dhe para gjithë fermerëve të Korçës se ne, në mandatin që vjen, do të bëjmë gjithçka që suksesi i tyre në këto vite të shumëfishohet.

 Të dashur banorë të Dvoranit,

 Gjatë këtyre viteve, besoj se çdonjëri prej jush e ka ndier përpjekjen e jashtëzakonshme tonën për të bërë që fshatrat tona të kenë infrastrukturë të njëjtë me qytetet tona, në mënyrë që ju të keni rrugë të asfaltuara, që ju të keni ujësjellës, kanalizime, që fëmijët tanë të mësojnë në shkolla moderne, si kjo që inauguruam sot, e cila mund të ishte në çdo lagje të Tiranës a të Korçës.

Këto kanë qenë projekte shumë të kushtueshme për ne, por unë ju garantoj se mandati i ri që vjen do të jetë mbi të gjitha mandati i i fermave dhe fermerëve të Shqipërisë rurale. Ne do të bëjmë gjithçka që ju të vadisni me metodat më moderne. Pata kënaqësi të madhe kur një familje e cila kultivonte rreth 40 dynymë mollë, më njoftoi se ai vaditjen e kishte tërësisht me pika. Unë e përgëzoj këtë dhe e siguroj se ne do të bëjmë gjithçka që, në mandatin e ardhshëm, të gjithë fermerët, në të katër anët e vendit, të vadisin me pika dhe me metodat më modernet. Do të bëjmë gjithçka që të rritet kapaciteti juaj prodhues.

Në Korçë sot funksionojnë mbi 25 frigoriferë për ruajtjen e mollës, funksionojnë linja të përpunimit dhe prodhimit të lëngjeve të saj. Por ne jemi të vendosur të shumëfishojmë kapacitetin ftohës, të shumëfishojmë kapacitetin përpunues të saj. Kjo është rruga më e sigurt e mëkëmbjes së qytetarëve të Korçës e qytetarëve të mbarë Shqipërisë. Gjatë vizitës te stendat, unë takova djem të rinj, njëri prej të cilëve ishte kthyer nga Britania e Madhe, kurse një tjetër nga Greqia. Kishin “përveshur llërët” dhe kishin krijuar fermat, po krijonin të ardhura për familjet, gjithnjë e më shumë. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka që të shfrytëzojmë çdo pëllëmbë të kësaj toke, që ju e dini që është nga më prodhueset në Evropë e në botë. Ne do të bëjmë gjithçka që çdo pëllëmbë tokë të prodhojë për ju, për familjet tuaj, të prodhojë për begatimin tuaj.

Në Korçë, gjatë këtyre viteve ne kemi financuar mbi 1900 ha, kemi financuar me mijëra blegtorë, por këto financime do të njohin 2 dhe 3 -fishim në vitet e ardhshme. Do të bëjmë çdo gjë që ne, që me mund e djersë arritëm të shkëputemi nga fundi i pusit ku ishim, vendi i 3-të më i varfër në botë dhe të dalim e të vendosemi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme e të larta, të ecim me shpejtësi drejt grupit të vendeve me të ardhura të larta. Toka jonë i ka të gjitha mundësitë, shqiptarët i kanë të gjitha mundësitë. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo ditë të jetë sa më e afërt.

 Vëllezër e motra,

 Jemi në prag të një vendimi të madh, vendim i cili do të përcaktojë statusin për Shqipërinë. Sapo inaugurova shkollën dhe, tek shihja fytyrat e bukura, sytë që shndrisnin të fëmijëve tuaj, lexoja në sytë e tyre inteligjent vetëm një ëndërr, një projekt, kjo ishte ëndrra evropiane, ëndërr që ju po e bëni çdo ditë e më tepër realitet me punën tuaj.  Sërish, për 3 vite me radhë, bëhen përpjekje për të bllokuar realizimin e kësaj ëndrre. Kryetari i PS-së, për të bllokuar këtë proces, kërkon: më jep Fierin, që të të  votoj ligjin. Por si qëndron e vërteta, të dashur qytetarë?. E vërteta është se një grup jo i vogël i këshilltarëve të tij, kanë kaluar në anën e mazhorancës, absolutisht me vullnetin e tyre të plotë të lirë. A keni dëgjuar ju që unë t’i kërkoj atij Paulinin, i cili kaloi nga grupi im parlamentar në grupin e tij parlamentar?. Në një vend të lirë, njerëzit kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjen e tyre. Këshilli j qarkut Fier ka 50 këshilltarë nga mazhoranca aktuale. E ftoj dhe e pyes kryetarin e PS-së: përse nuk e vendos në mocion mosbesimi kryetarin aktual në Fier? Kjo ndodh sepse nuk ka vota. Ndaj i them; mos blloko se shqiptarët nuk meritojnë t’i bllokojmë. Qytetarët e Dvoranit, qytetarët e mbarë Shqipërisë, kanë derdhur e derdhin lumenj djerse, në mënyrë që ata të zënë vendin e merituar në Evropë.

Z. Rama kishte mbledhur dje gratë socialiste në Elbasan dhe u thoshte se; “në 2005-ën, Kryeministri na u paraqit në një fotografi i krehur mirë e me duar të pastra”. Unë do t’i them këtu para jush, mos u merr me fotografitë, sepse ai këshilltari yt që të jep këto ide, është përjashtuar nga PD-ja vetëm e vetëm se u mor me fotot tuaja intime. Mos dëgjo atë. Jepu alternativë qytetarëve. Fotot janë të shkuara, ne të shohim drejt të ardhmes. Zhbllokoje atë votim, të marrim statusin që na takon, të shkojmë drejt zgjedhjeve, të angazhohemi para jush dhe të gjithë shqiptarëve me burrëri  e dinjitet, për zgjedhje të lira e të ndershme dhe të respektojmë vendimin tuaj suprem. Faleminderit dhe gëzuar festën”.         


06/10/2012

 

Publikoje në:

Disktutime, lajme dhe informacione nga jeta e perditshme

Informacione mbi artikullin

Keshilli i Ministrave

Publikuar nga: Keshilli i Ministrave

Tė tjera lajme interesante

Regjistrim

Ju mund tė regjistroheni pėr RSS ose pėr tė marrė e-mail me lajmet mė tė fundit.

Regjistrohuni per RSS feed


Ky opsion do tė rivendose dhe njėherė rregullat a paracaktuara tė shfaqjes sė lajmeve nė faqe.

Ri-vendos