28/04/2009  Kontrollet, u hiqet licenca 15 subjekteve për kontrabandë


Jo pak, por 15 subjekte të ndryshme farmaceutike janë penalizuar gjatë vitit të shkuar për shkak të problemeve të paraqitura me tregtimin e barnave, pjesa dërrmuese e tyre rezultonin të ishin kontrabandë. Kreu i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave Besnik Jakaj ka pohuar se për këto kompani farmaceutike janë marrë masa ndëshkimore me heqje të licencës, për shkak se tregtonin barna kontrabandë. Ndërkohë ka shtuar se nëpërmjet kontrolleve të ushtruara nuk kanë rezultuar barna të falsifikuara brendapërbrenda territorit nga subjekte të caktuara, çka mund të sillte pasoja të rënda shëndetësore te popullata. Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, rezulton se në rrjetin farmaceutik shqiptar gjenden të regjistruara e të certifikuara jo pak, por 6344 barna të llojeve e kategorive të ndryshme trajtuese. Ndërkohë i madhe është edhe numri i kompanive ofruese të këtij shërbimi, që gjithsej rezultojnë të jenë rreth 344 kompani të ndryshme farmaceutike (kjo shifër në raport me popullsinë, garantojnë mbulimin e nevojave të duhura për barna, duke shmangur të gjitha komplikacionet që mund të paraqiten. "Në raport me numrin e popullsisë që ka, Shqipëria konsiderohet një ndër vendet më të avancuara në këtë drejtim për numrin e barnave të regjistruara dhe kompanive që i kanë regjistruar ato", - ka deklaruar Jakaj. Sipas tij, në vendin tonë në bazë të ndryshimeve të vazhdueshme ligjore që janë bërë, mundësohet futja në treg e barnave të një cilësie të mirë, ashtu siç ndodh dhe në vendet evropiane. "Ne kemi të përcaktuar me ligj se barnat që regjistrohen dhe qarkullojnë në Shqipëri duhet të jenë të regjistruara në një nga vendet e BE-së: në Zvicër, Kanada, Australi”, - ka vijuar Jakaj. Kjo gjë shkon edhe përkrah masave ligjore të marra për liberalizimin e regjistrimit dhe sigurimit të llojeve të ndryshme të medikamenteve, çka ka penguar krijimin e monopoleve për sjelljen e alternativave të caktuara të tyre, të cilat janë të domosdoshme për popullatën shqiptare. "Ne kemi përcaktuar në ligj se brenda 20 ditëve subjektet farmaceutike që duhet të licencohen në bazë të formularit të vetëdeklarimit marrin licencën përkatëse, të përcaktuara në ligj, që nga drejtoritë rajonale të shëndetit publik deri te Komisioni i Licencimit në MSH", - ka përfunduar drejtori i qendrës së barnave.


Regjistrimi


Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion rezulton se në rrjetin farmaceutik shqiptar gjenden të regjistruara e të certifikuara jo pak, por 6344 barna të llojeve dhe kategorive të ndryshme trajtuese. Njëkohësisht i lartë paraqitet të jetë edhe numri i kompanive ofruese të këtij shërbimi, që në total rezulton të jenë rreth 344 kompani të ndryshme farmaceutike, që mundësojnë shitjen e tyre.


Sigurimi


"Ne kemi përcaktuar në ligj që brenda 20 ditëve subjektet farmaceutike që duhet të licencohen në bazë të formularit të vetëdeklarimit marrin licencën përkatëse, të përcaktuar në ligj, që nga drejtoritë rajonale të shëndetit publik deri te Komisioni i Licencimit në MSH. Barnat që regjistrohen në Shqipëri duhet të jenë të regjistruara në një nga vendet e BE-së: në Zvicër, Kanada, Australi.”