Në fusha të ndryshme ku shfaqet vetëdija kolektive, në artikujt e gazetave, në diskutimet e drejtuesve politikë, bisedat e përditshme të njerëzve nëpër kafene, shpeshherë dëgjoj të trajtohen problemet më emergjente të shoqërisë, në prizmin e nevojës për diçka të re, për njerëz të rinj, për një revolucion që do të na bënte të kalonim nga e vjetra në të renë. Revolucioni francez më vjen menjëherë në mendje kur dëgjoj këto terma, pasi ai konsiderohet si një nga më të rëndësishmit dhe një nga më gjakatarët në historinë e Evropës. Gjatë një periudhe 10-vjeçare në Francë u përmbys regjimi i vjetër dhe sistemi ekonomik dhe politik që ai kishte krijuar gjatë shekujsh, për t‘ia lënë vendin një sistemi të ri.



Por për shkak të tensioneve dhe rrymave të shumta dhe kontradiktore, "e reja" që revolucioni krijoi nuk mundi të triumfonte menjëherë, dhe kështu pas shpalljes së Republikës në 1792 pasuan vitet e shëmtuar të Terrorit. Konsolidimi i revolucionit dhe i Republikës nëpërmjet luftës së jashtme, do të sillte shfaqjen e një gjenerali triumfues, Napoleonit, dhe gradualisht kalimin nga një republikë e qytetarëve drejt një republike borgjeze dhe në fund në shfaqjen e perandorisë. Shumë peripeci të tjera pasuan për Republikën, deri në konsolidimin e saj në kuptimin që i jepet këtij koncepti sot në regjimet demokratike. Nga Republika e parë në Francë me dy ndalesa në Perandori, është arritur në Republikën e 5-të, në kohët moderne! Megjithëse u deshën shumë vite për ta konsoliduar "të renë" që solli revolucioni francez, në fakt, ajo ishte fituar në sajë të energjisë që shpenzuan njerëzit që e bënë revolucionin.



Ata fillimisht donin të rrëzonin të vjetrën, por pas hapave të parë u bë e qartë nevoja për ta përmirësuar atë, pasi ajo erdhi e veshur me këmishë me njolla gjaku e me koka të prera. Por revolucioni nuk ishte vetëm dhunë, në librat e historisë thuhet se në vitet e para të Republikës, i kushtohej një rëndësi e madhe informimit të qytetarëve, shprehjes së opinioneve nëpër gazeta, trakte dhe në mbledhjet e shumta të klubeve politike. Shoqëritë janë bashkësi komplekse ku interesat e ndryshme përplasen me njëri-tjetrin dhe duhet një zotësi e madhe e të gjithëve, që situata e arritur të jetë më e mira e mundshme. Revolucioni francez u përgatit nga një brez mendimtarësh, të cilët i shkruan dhe i diskutuan idetë e reja që kishin mbi njeriun, mbi forcën e arsyes, mbi rolin që ai duhet të ketë në shoqëri. Mendimtarët e Iluminizmit i paraprinë revolucionit, i cili e shndërroi lëvizjen fillestare të mendimit në një forcë fizike dhe më pas historike.



Ndoshta shkova shumë larg, por kaq larg më hedhin termat që dëgjoj rëndom, mbi nevojën për diçka të re, drejtues të rinj që do të revolucionarizojnë shoqërinë. Në fakt fjalët janë më të rëndësishme se sa mendojmë, ato mbeten në kujtesën e pavetëdijshme dhe kushtëzojnë mënyrën e të menduarit. Insistimi që ndeshet ende sot për "njerëzit e rinj", është një klishé shumë e lehtë, e derivuar nga doktrinat komuniste, të cilat pretendonin se do të prodhonin njeriun e ri, që ishte më i mirë se i vjetri. Në Shqipëri ky koncept, "njeriu i ri" ka mbizotëruar për shumë vite dhe del vetvetiu sa herë i referohemi së ardhmes. Është një koncept donkishotesk, që njeriu i ri, të vijë dhe të ndryshojë çdo gjë, ta bëjë shoqërinë "ashtu siç duhet" edhe pse ajo "ashtu siç duhet", është shumë e vështirë për t‘u përcaktuar. Dhe më e vështirë është për të kuptuar se nga do dalë njeriu i ri? Nga një grup njerëzish të vjetër që nuk bëjnë asnjë përpjekje? Nuk ka se si të ndodhë.



Më shumë se sa një revolucion, ne kemi nevojë për evolucion, në kuptimin bazik të përmirësimit, të ecjes përpara. E reja në shoqërinë shqiptare ka ardhur që pas rrëzimit të komunizmit, ajo erdhi si pasojë e situatës së përgjithshme në ish-vendet e Lindjes. Ne nuk bëmë revolucion për ta arritur këtë, pritëm që rrëzimi i komunizmit të niste diku dhe ne të bënim pjesën që na përkiste brenda vendit. Tashmë që e keqja më e madhe ka kaluar, nuk kemi nevojë as për revolucion dhe as për diçka të re, në kuptimin e diçkaje që kontraston dukshëm me ekzistuesen. Ajo për të cilën kemi nevojë më shumë është evolucioni i mendimeve, i mentalitetit, i rregullave të organizimit shoqëror dhe i mënyrës së jetesës. Të gjithë kemi filluar ta kuptojmë se si funksionon sistemi politik në Shqipëri. Të gjithë e dimë gjithashtu që pushteti nënkupton para, lavdi, privilegje, situatë shoqërore të mirë, dhe të gjithë ata që konkurrojnë për pushtet, do të kenë si pasojë e pushtetit, përfitime. Kjo është e arsyeshme dhe konsiderohet si çmimi që paguajnë njerëzit e këtij lloji për t‘u futur në garën konsumuese të konkurrimit politik.



Shndërrimi i rezultatit, pra i përfitimeve që të vijnë nga pushteti, në motivin kryesor për ta fituar pushtetin është i tepërt, por megjithatë ndodh. Që pas ngjarjeve të këtij viti, të hapura me Gërdecin dhe të ndjekura së fundmi me shkërmoqjen e një pallati, shoqërisë shqiptare me siguri i janë hapur sytë më shumë dhe ajo është në gjendje të shikojë tregues mbas treguesi, se si pas politikanëve qëndrojnë interesa ekonomike dhe financiare. Ata që ndajnë tortën e pushtetit janë gjithashtu ata që ndajnë territorin e vendit në zona pushteti dhe këto zona i përmbajnë të gjitha, njerëzit, tokën, ujin, erën, pyjet, nëntokën. Tashmë që ne gjithnjë e më shumë po i kuptojmë këto fakte, si njerëz me arsye na takon të ripozicionohemi ndaj pushtetarëve. Në vend që t‘ia kërkojmë pushtetit plotësimin e të gjitha mungesave tona, ne duhet të mobilizohemi vetë me njëri-tjetrin, që të angazhojmë fonde nga burime të ndryshme, nga biznesmenë, nga donatorë si dhe nga shteti për t‘i përmirësuar ato gradualisht. Pikësëpari edhe sikur politikanët të ishin vërtet të shqetësuar për problemet tona, për shkak të sasisë së tyre të madhe dhe mundësive financiare të kufizuara, përmirësimi i të gjitha nevojave do të bëhej vetëm gradualisht.



Në një realitet ku po bëhet e qartë që politikanët dhe më gjerë drejtuesit, kanë të parin shqetësimin e të mirave të tyre personale dhe më pas atë të halleve tona, ne nuk mund të presim prej tyre. Pushteti nuk zgjidh çdo gjë, madje ai ka tendencë që të afrojë çdo gjë rreth vetes në mënyrë që të përfitojë sa më shumë. Dhe sjellja jonë është krejt naive, ne i varim të gjitha shpresat tek ata, ne u besojmë atyre verbërisht aq shumë sa në momentin e zgjedhjeve, çfarëdo që ata të kenë bërë, ne sërish do të votojmë për kampet tona politike të preferuara. Jemi të zhgënjyer prej tyre, por sërish u besojmë të ardhmen tonë. Ka një absurd në këtë sjelle. Kjo duket si sjellje prej të sëmuri, që nuk arrin të shikojë dhe të arsyetojë qartë. Kjo situatë është natyrisht e trashëguar, pasi kemi kaluar 50 vjet duke i parë politikanët jo vetëm ta përdorin pushtetin për interesat e tyre, por mbi të gjitha të na dhunojnë në të drejtat tona elementare. Prandaj duke parë mbrapa vërejmë gjithsesi një përmirësim të dukshëm. Politikanët merakosen për të mirat e tyre, por të paktën ne nuk dhunohemi në të drejtat bazike, si dhe kemi njëfarë hapësire shoqërore për t‘u zhvilluar.



Për të përparuar edhe disa hapa më tej, ajo që duhet të bëjmë është të ndryshojmë fokusin me të cilin e shohim realitetin. Ne duhet të kthehemi drejt njëri-tjetrit, dhe jo kah pushtetarët të cilët do të vazhdojnë po njëlloj. Ajo që duhet zhvilluar në këtë fazë është komunitarizmi, ngritja e solidaritetit midis qytetarëve në një strukturë mbështetëse për ata që kanë më shumë nevojë. Nëse i hedhim sytë në shoqërinë tonë do të dallojmë se ky aspekt nuk është i zhvilluar. Sa prej OJF-ve ekzistuese merren me njerëzit e përjashtuar, të varfrit, fëmijët me probleme, konkretisht duke i ofruar atyre një mënyrë për të dalë nga gjendja e vështirë dhe jo duke i ofruar trajnime pafund nëpunësve të administratës apo shoqatave të tjera që kanë si burim të ardhurash aktivitetin në fjalë dhe që së largu merren me problemin. Solidariteti dhe komunitarizmi janë format e evolucionit për të cilat kemi më shumë nevojë dhe burimi i tyre është brenda çdo njeriu. Mendimi që kemi nevojë për njerëz revolucionarë është një drejtim i gabuar që nuk do të na ndihmojë të dalim nga vorbulla e besimit të verbër te politikanët. Le të jemi më solidarë dhe më humanë me njëri-tjetrin, kjo do ta ndryshojë shoqërinë në drejtimin që ne dëshirojmë duke na ngjitur në një shkallë më të lartë evolucioni.