Në mbledhjen e radhës Këshilli i Ministrave mori vendim për ndryshimin e ligjit për sigurimet shëndetësore dhe ato shoqërore. Të gjitha këto ndryshime hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1.5.2009. Në këtë mbledhje u vendos që paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nga data 1.5.2009 e në vazhdim, të jetë jo më pak se 16 120  lekë, ndërsa paga maksimale mujore të jetë 80 600.

Shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit, për periudhën nga data 1.5.2009 e në vazhdim, të jetë 4 497 lekë. Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, të jetë 7% e pagës minimale mujore, e barabartë me 1 128  lekë. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për të punësuarin, të jetë 27.9% e pagës bruto mujore, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 16.7% dhe pjesa e të punësuarit 11.2%. Kontributet llogariten nga punëdhënësi, mbi pagën bruto, të përcaktuar në këtë vendim. Ai mban nga paga e punëtorit 9.5%, për sigurim shoqëror, dhe 1.7%, për sigurim shëndetësor, dhe, së bashku me pjesën e tij 15% të pagës, për sigurim shoqëror, dhe 1.7%  të pagës, për sigurim shëndetësor, e deklaron dhe e paguan në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të jetë 26.7% të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15.6% dhe pjesa e të punësuarit 11.1%, por jo më pak se niveli minimal i pagës bruto, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1.5.2009 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30% (23%, sigurim shoqëror, dhe 7% sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale, prej 16 120 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekësh, të barabartë me 4 836 lekë në muaj. Këta persona llogarisin kontributet për vete dhe për pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen  me pagë, dhe i paguajnë në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së vet, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30 % (të pagës mujore minimale prej 16 120 lekësh. Personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, sipas përcaktimeve në këtë vendim, të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 1 200 lekë. Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, që nuk janë të punësuar diku tjetër, të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 % të pagës mujore minimale, prej 16 120 lekësh. Të vetëpunësuarit në bujqësi, të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 14 400 lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 9 360 lekë. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, të jetë 1 200 lekë në muaj. Kontributi i detyrueshëm për aksidente dhe sëmundje profesionale, për kohën e formimit profesional, të personave të punësuar në subjekte, që punojnë me material të porositësit, të jetë 0,3 % e pagës bruto minimale, dhe paguhet totalisht nga punëdhënësi.. Shuma bazë e përfitimit të jetë 10 276 lekë në muaj.

**************************************************************************
Kontributi minimal mujor, sipas degëve të sigurimit
                                                                                    
                     në lekë        %

Dega e sigurimit të sëmundjeve    0.3                 48
Dega e sigurimit të barrëlindjeve    1.4                 226
Dega e sigurimit të pensioneve          21.6           3 482
Dega e sigurimit të aksidenteve
dhe sëmundjeve profesionale              0.3              48
Dega e sigurimit të papunësisë            0.9              145
Sigurimet shëndetësore                        3.4              548