Problemi
Katër veta u plagosën të dielën dhe të hënën në afërsi të qytetit të Kukësit

Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga vënia në funksion e autostradës në segmentin Kukës-Morin, ende nuk janë bërë në të disa nga punët më të rëndësishme që ruajnë jetën e njerëzve. Traseja e autostradës nuk ka asnjë shenjë ndihmëse për shoferët dhe as për kalimtarët. Nuk ka kufizimin e duhur të një autostrade për të disiplinuar lëvizjen, për të penguar hyrjen vend e pa vend të kalimtarëve dhe mjeteve të fshatarëve etj.


Kështu, mbrëmë rreth orës 21:00, në afërsi të qytetit të Kukësit, në vendin e quajtur Rexhepaj, është aksidentuar rëndë një grua, banore e fshatit Shtiqën, e cila kthehej nga punët bujqësore drejt shtëpisë së vet. Burime të spitalit civil në Kukës tregojnë se H.Muja, 35 vjeçe, nga Shtiqni, u aksidentua natën e së dielës në autostradë, duke dëmtuar të dyja këmbët, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Familjarë të viktimës thanë se ka qenë një autoveturë me targa të huaja që e ka përplasur gruan teksa kalonte nga një anë në tjetrën dhe se shoferi më pas nuk ka ndaluar për t’i dhënë ndihmën e shpejtë të plagosurës. Për fat të mirë të gruas, së bashku me të ka qenë edhe një nga tre fëmijët e saj, i cili ka vrapuar menjëherë në shtëpinë që ndodhej shumë afër dhe ka njoftuar familjen. Gruaja është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Kukësit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ka dalë nga rreziku për jetën.


Ndërkohë, në të njëjtin vend ku u aksidentua 35-vjeçarja Muja, dje në orën 16:00 ka ndodhur një tjetër aksident, ku janë plagosur tre persona, prej të cilëve një në gjendje të rëndë. Burime të policisë tregojnë se në segmentin e autostradës Kukës-Morin është devijuar nga aksi mjeti “Benz”, tip furgon, i drejtuar nga shtetasi Servet Kovaçi, i datëlindjes 1987, ndërsa në automjet kanë qenë edhe persona të tjerë, përkatësisht Sebastian Bilali 22 vjeç dhe Bedri Kovaçi 10 vjeç.
Burime të spitalit të Kukësit bëjnë të ditur se 22-vjeçari dhe fëmija 10-vjeç janë plagosur më rëndë, veçanërisht 10-vjeçari, i cili ka marrë plagë të rënda. Për këtë arsye është thirrur helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë, që e ka bartur 10-vjeçarin drejt Spitalit Ushtarak, ku mësohet se ndodhet në mjekim intensiv jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet me saktësi shkaku i aksidentit, por mendohet se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.


Brenda pak kohe ky është aksidenti i tretë në këtë segment autostrade. Pak më shumë se një muaj më parë aty u aksidentuan mjaft rëndë gjashtë persona nga përplasja mes tyre e dy automjeteve që shkonin në kahe të kundërta me njëri-tjetrin. Sipas specialistëve të qarkullimit, aksidentet kanë ndodhur pikërisht për shkak të mungesës së sinjalistikës, por edhe të kufizimeve të domosdoshme që duhet të ketë autostrada.








#