nenpunesShtyrja e ligjit për nënpunësin civil është kthyer në një betejë për opozitën, por nëse ai do të hynte në fuqi në 1 tetor, do mund ta fuste në kolaps qeverinë. Kjo, duke qenë se nga 6 mijë persona me këtë status, me hyrjen në fuqi të ligjit, numri i tyre do të shkonte në 20 mijë.


Shekulli ka mundur të sigurojë relacionin e qeverisë të dërguar në Kuvend, në të cilin theksohet se hyrja e këtij ligji në fuqi më 1 tetor krijon një sërë problemesh juridike dhe financiare në lidhje me zbatimin e tij në praktikë.


Në rastin konkret, nevoja për të ndërhyrë, kushtëzohet nga këto argumente: Së pari: Ligji nr. 152/2013 krijon pasoja financiare për buxhetin e shtetit, pasoja të cilat nuk janë parashikuar në ligjin nr. 119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013″. Referuar neneve 2, 3 dhe 4, të ligjit nr. 152/2013, rezulton se statusi i nëpunësit civil do të shtrihet edhe për nëpunës të tjerë të administratës që më parë nuk e gëzonin. Numri i nëpunësve civilë, bazuar në skemën aktuale të strukturave apo organigramave të institucioneve të administratës publike, të cilat sipas ligjit përfshihen që më 1 tetor 2013 në shërbimin civil, rritet nga 6 000 në rreth 20 000. Pra, numri i nëpunësve civilë rritet me më shumë se trefish dhe kjo mund të shoqërohet me efekte financiare, lë cilat do të bëhen barrë për buxhetin e shtetit. Gjithashtu, programi qeveritar parashikon reformimin strukturor në vend me qëllim që të kemi një frytshmëri më të madhe të adresimit të çështjeve në vend. Jo vetëm ndryshime institucionale strukturore, por edhe ndryshime që lidhen me reformën administrative-territoriale që është duke u hartuar, do të sjellin ndikime financiare, të cilave do t’u shtohen edhe ndikimet financiare për shkak të përfshirjes së institucioneve në shërbimin civil.


Përfshirja në shërbimin civil do të thotë kosto më të mëdha administrative për realizimin e çdo aspekti që lidhet me marrëdhënien e punës, si për shembull trajnimi, vlerësimi i punës, lëvizjet paralele apo ngritjet në detyrë, ashtu si edhe qëndrueshmëria në lidhje me rastet e ristrukturimeve të institucioneve pjesë e shërbimit civil, etj. Hyrja në fuqi e ligjit nr. 152/2013 që në datën l tetor 2013 nënkupton marrjen e të gjitha masave për realizimin e rekrutimeve, të lëvizjeve paralele, ngritjeve në detyrë etj. te cilat, pra në vetvete kërkojnë mbështetje financiare të paparashikuara në buxhetin e vitit 2013, thuhet në relacionin shpjegues.