Prokuroria dhe policia: "Lajm i pavërtetë që ka si qëllim të hedhë mjegull mbi hetimet, por që do të hetohet".





Sokol Bizhga, specialist i Krimeve të Rënda: "Ngjarja më e vështirë që kam hetuar gjatë gjithë karrierës sime".





KUKËS - Bleona Mata, vajza 6-vjeçare nga fshati Zapod i rrethit të Kukësit gjendet e "vrarë", por në facebook. "Skandali më i madh në botë. Gjendet e vdekur vajza nga Kukësi Bleona Mata. Halla e saj, e cila bënte si e paditur, e kishte vrarë dhe copëtuar pasi Bleona e ka parë atë me të dashurin.





O zot çfarë tmerri!" thuhet në forumin e rrjetit social "facebook" rreth mesnatës ku është publikuar lajmi se vajza është gjetur e vrarë. Gjithashtu në një adresë të vendosur me emrin e vetë 6-vjeçares shkruhet "Një minutë heshtje për vrasjen në mënyrë barbare të vajzës së vogël Bleona Mataj, e cila u vra në mënyrë barbare nga halla e saj.





Vetëm 6 vjeç ishte. Kjo vajzë kishte jetën përpara por jeta iu ndal nga halla e saj mizore e cila e vrau pa u menduar dy herë". Lajmi është përhapur në mënyrë të shpejtë sidomos në qytetin e Kukësit ku qytetarë të shumtë të sensibilizuar nga kjo ngjarje iu janë drejtuar menjëherë mediave.





Ndërkohë, drejtori i policisë së Kukësit, Sadri Ramçaj, në një prononcim për mediat lokale deklaroi se "Prokuroria e Krimeve të Rënda është vënë në dijeni të publikimeve, por nuk ka asgjë të vërtetë rreth këtij publikimi". Kreu i bluve të Kukësit tha në vazhdim se në të tilla ngjarje ka njerëz të interesuar që të hedhin tymnaja.





Prokuroria: Kemi të bëjmë me një abuzim





Publikimin e rrjetit social "facebook" e ka përgënjeshtruar edhe prokuroria e Krimeve të Rënda që po heton për këtë ngjarje. Prokurori i çështjes, Anton Martini, thotë se nuk ka asnjë të vërtetë për ato që janë publikuar në forumet e "facebook".





"Kemi të bëjmë me një abuzim për një ngjarje me shumë rëndësi dhe të dhimbshme", shprehet prokurori Anton Martini. Ndërkaq kreu i hetimit të kësaj çështjeje ka deklaruar në vazhdim se pavarësisht se këto publikime janë abuzime, prokuroria do të hetojë për të zbuluar personat të cilët kanë publikuar lajmin në të.





Prokurori Anton Martini ka pohuar se në hetim janë dhe të afërm të vajzës, përfshi edhe hallën e saj, me të cilën Bleona kishte shkuar për të kullotur bagëtitë në mal pasditen e 22 majit.





Gjyshi i Bleonës: Nuk e besoj që vajza të ketë gisht



Policia: Nuk ka asgjë të vërtetë nga publikimi





Në dijeni të këtij lajmi të publikuar në internet ishte vënë edhe familja e vajzës së zhdukur në Zapod të Kukësit nga disa të rinj të fshatit.





Zenel Mata, gjyshi i 6-vjeçares, thotë se ishte vënë në dijeni të lajmeve në internet nga disa të rinj, por që vetë ata nuk kishin kontaktuar me policinë dhe se nuk besonte që e bija e tij, halla e Bleonës të ishte përgjegjëse për zhdukjen. Babai i vajzës së zhdukur e ka akuzuar motrën e tij, Alketa Mata, bashkë me grupin e vajzave të tjera si të përfshira në zhdukjen e së bijës, Bleonës.





Bizhga: Nuk ka asnjë zhvillim në hetime





Ndërkohë që edhe policia e Krimeve të Rënda vazhdon hetimet rreth kësaj ngjarjeje. Njëri prej ekspertëve të kësaj policie, Sokol Bizhga, kryeson grupin e hetimit të ngritur nga ana e policisë.





Ditët e fundit mësohet se është marrë sërish në pyetje nëna e vajzës së zhdukur dhe vajzat me të cilat ka qenë 6-vjeçarja pasditen e 22 majit. Specialisti i Krimeve të Rënda deklaroi se nuk ka asnjë zhvillim përsa i përket hetimeve për zhdukjen e Bleona Matës. Sipas Bizhgës, deri tani nuk ekzistojnë prova për të vënë para përgjegjësisë personat e dyshuar. "Është ngjarja më e vështirë dhe më e mistershme që kam hetuar gjatë gjithë karrierës sime",- mësohet të jetë shprehur Sokol Bizhga.





Bleona Mata u zhduk në orët e vona të pasdites së 22 majit ndërsa kishte shkuar me disa vajza të rritura, përfshi edhe hallën e saj me bagëti në një pyll në afërsi të fshatit. 6-vjeçarja është zhdukur pasi vajzat e rritura që e shoqëronin, e kishin lënë atë vetëm siç pohojnë për rreth 15 minuta, por ku janë kthyer nuk e kanë gjetur. Fëmija 6-vjeçar rezulton e zhdukur dhe aktualisht kanë kaluar 40 ditë nga humbja e saj.





Ndërkohë policia e shtetit shqiptar ka akorduar 22 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, megjithatë burime të policisë kanë bërë të ditur se me gjithë akordimin e shumës nuk ka asnjë informacion nga ndonjë dëshmitar i identifikuar apo anonim.