Të tjera rreth shkrimit Berisha: Do heqim taksën për kompanitë Më 24 dhjetor vendimi në Kësh.Bashkiak





TIRANE - Urdhri i Kryeministrit Berisha për hartimin e ligjit për përjashtimin nga taksat të kompanive celulare për vendosjen e antenave të telekomunikacionit ka vënë në vështirësi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Lulzim Bashën, i cili në mbledhjen e 24-dhjetorit të Këshillit Bashkiak miratoi vendimin për vendosjen e një takse për antenat e telefonisë celulare mbi pallate, prej dy milionë lekë në vit.

I pyetur për apelin e Berishës të bërë dje në mbledhjen e Qeverisë, Basha tha se do të shqyrtojë kërkesën e Kryeministrit dhe do të rishikojë edhe një herë aktin e legjislacionit aktual të Bashkisë.

“Do të shqyrtojmë kërkesën e shefit të qeverisë dhe çfarë do të pasojë pas kësaj. Nëse do të ketë një akt legjislativ nga Qeveria dhe Parlamenti, normalisht që Bashkia nuk ekziston jashtë rendit ligjor të Republikës së Shqipërisë. Do të shikojmë edhe një herë aktin tonë, përputhshmërinë e aktit tonë me legjislacionin aktual si dhe me standardin evropian, natyrisht në diskutim dhe frymë bashkëpunimi me qeverinë qendrore”.

Deklarata e kryetarit të Bashkisë së Tiranës është bërë sot gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e rrugës së re të “Kokonozëve”, me gjatësi 793 metra, që lidh rrugën ”Dalip Topi” me rrugën ”Marie Kraja”. Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i kolektorit, i cili aktualisht është një kanal i hapur dhe që mbart një problematikë të madhe për shëndetin e 3 mijë banorëve të kësaj zone.

“Unë pata premtuar se kjo do ishte një ndër punët kryesore që ne do të nisnim, për t’u ardhur në ndihmë këtij komuniteti dhe për të sjellë një cilësi të munguar jetese, në këtë pjesë të kryeqytetit. Sot, kam kënaqësinë e veçantë të inspektoj fillimin e punimeve, jo vetëm për mbulimin e kanalit, pra ndërtimin e kolektorit me parametrat më të mirë të mundshëm por edhe ndërtimin e një rruge mbi këtë kolektor, me një gjerësi prej 7 metra dhe dy trotuare nga dy metra, mbi 150 fidanë pemë, me ndriçim në të dy anët e rrugës dhe me të gjithë infrastrukturën nëntokësore për ujësjellës-kanalizimet si dhe për kabllot optikë dhe telefoninë”, theksoi Basha.

Vlera e investimit është 66,7 milionë lekë dhe afati i mbarimit të punimeve 8 muaj. Projekti parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin rrugor, spostimin e linjave elektrike, punime për linjat rezervë për fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)